4.24 miliardë lekë për koncensionet në 5 mujorin 2025
Në pesë muajt e parë të vitit 2025, buxheti i shtetit ka paguar 4.24 miliardë lekë për kontratat e Partneritetit Publik Privat (PPP) me një realizim 30.3% plan/fakt.
Rruga e Arbrit mbetet projekti më i kushtueshëm edhe këtë vit, me 960 milionë lekë të paguara deri në fund të majit. Pas saj renditen shërbimi i skanimit të kontejnerëve me 603.5 milionë lekë, inceneratori i Tiranës me 286.3 milionë lekë dhe Bypass Orikum-Dukat me 193.9 milionë lekë.
Në sektorin e shëndetësisë, pagesat për kontratat e mëdha si sterilizimi (784,725 milionë lekë), dializa (385,350 milionë lekë), laboratorët (662, 854 milionë lekë) dhe check-up-i (365,034 milionë lekë) kanë vijuar, por me ritëm më të ngadaltë krahasuar me vitin e kaluar.
Në 2024, shëndetësia ishte ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve buxhetore, me laboratorët që morën 1.8 miliardë lekë, sterilizimin me 1.75 miliardë lekë, dializën me 920 milionë lekë dhe check-up-in me 876 milionë lekë.
Në fushën e infrastrukturës, përveç Rrugës së Arbrit dhe Bypass-it Orikum-Dukat, kontrata të tjera si mirëmbajtja e autostradës Milot-Morinë dhe projekti i Portit të Integruar në Triport Vlorë nuk kanë marrë ende pagesa për këtë vit, njësoj si në 2024 kur ky i fundit nuk kishte nisur punimet.
Ndërkohë, pagesat për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit mbeten të ndaluara që prej 2022 dhe 2021, duke mos përbërë më pjesë të shpenzimeve buxhetore.
Në total, në vitin 2025 janë aktive 11 kontrata koncesionare me mbështetje nga buxheti i shtetit, të shpërndara në sektorë si infrastruktura dhe energjia (4 kontrata), shëndetësia (3), financat publike (2), arsimi dhe mjedisi (nga 1 secila). Nga këto kontrata, pagesa kanë përfituar 10 kontrata./ ekofin.al